Futbolli të godet me qindra milionë në transferimet e janarit

Nuk kishte ndodhur më parë, por kjo tendencë mund të vazhdojë. Pasi Barcelona mori Filip Kutinjon për 160 milionë euro (120+40), mediat po llogarisin sesa mund të kushtojnë disa nga yjet që mund të ndërrojnë fanelë tani në janar, ose në qershor.

Njëri prej tyre është Paulo Dibala, “margaritari” i Juventusit që besohet se mund të merret vetëm nëse shpenzohen 170 apo 175 milionë euro. Vështirë të thuhet se ku mund të shkojë “La Zhoja”, pasi Barcelona i bëri shpenzimet e veta, Reali po mendon për të tjerë, ndërsa klubet anglezë po ashtu sikur nuk e kanë në objektiv. Në fund të fundit, mirë është edhe tek “Zonja e Vjetër”.

Po Eden Hazar? Ylli belg ka kontratë me Çelsin deri në 2020, por nuk ka pranuar rinovimin, pra blutë duhet të mendohen mirë këtë verë. Sa mund të kushtojë ai? Reali e kërkon dhe vetë Hazar është shprehur me shaka se “unë do të kushtoja 300 apo 350 milionë euro”. Një shifër më realiste do të ishte patjetër tek 150 milionë eurot me inflacionin e lartë në futboll këto kohë.

Ja edhe Tomas Lemar. Talenti që shënoi për Monakon në fitoren e rëndësishme 2-1 në fushën e Nisës në Kupën e Ligës franceze, është në shënjestrën e Liverpulit dhe Arsenalit. Që gjatë verës së kaluar u fol se ai mund të merret vetëm për 100 milionë euro. Këto blerje mund të bëhen në verë, por diskutimet me qindra milionë po zhvillohen në janar dhe nuk do të ishte habi nëse do të kishte ndonjë zhvillim.

Sfidanti.al