Notingem Forest, krenaria shkaktoi surprizën në Kupën e Anglisë

Nuk ishte një e papritur si ajo që krijoi vjet Linkoln Siti i kategorisë së pestë, që eleminoi Bërnlin e Premier Ligës dhe arriti gjysmëfinalen e Kupës së Anglisë, diçka që një ekip i Konferencës e bënte për herë të parë që nga 1914-ta. Ishte gjithsesi një surprizë aspak e vogël, që Notingem Foresti i sotëm mposhti Arsenalin në kompeticionin më të vjetër në botë.

Se kush ka qenë Nots. Foresti, këtë e thonë këngët e tifozëve dhe emrat “Brajan Kllaf” e “Piter Tejlor” në tribunat e stadiumit të famshëm “Siti Graund”, por këta 19 vitet e fundit tifozët kanë pasur shumë pak për t’u gëzuar, që kur ekipi i tyre ra nga kategoria.

Gjithsesi, trofembajtësi Arsenal u mposht 4-2 falë një ndeshjeje heroike ku shkëlqeu sulmuesi polak, Erik Liçaj, dhe ku Brereton e Douell shënuan nga pika e bardhë e penalltisë. Për ekipin e Arsen Vengerit (të pezulluar) realizuan Mertezaker për 1-1 dhe Uelbek për 2-3. Venger vendosi të luante me një skuadër me shumë rezerva dhe kjo i kushtoi shtrenjtë.

Notingem Foresti fitoi titullin e vetëm kampion në Angli në 1978, ndërsa në 1979 e 1980 doli dy herë kampion i Europës, i vetmi klub në kontinent që ka më shumë Champions sesa tituj kombëtarë.

Kjo e Nots. Forestit, iu shtuar të papriturave që e bëjnë të madhe Kupën e Anglisë, nisur që në 1872. Përveç Linkolnit vjet, në 1989 amatorët e Satonit (Sutton) të kategorisë së pestë mundën Koventrin e Premier Ligës 2-1, Në 1973 Sandërlendi i kategorisë së katërt tronditi Lidsin e famshëm, duke e mundur 1-0 në finale, ndërsa në 1992, kampionia e Anglisë, Arsenali, u mund 2-1 nga Rekshami (Wrexham) i vendit të fundit të kategorisë së katërt.

Sfidanti.al