Kutinjo si “Mister La Liga”, Iniesta e Mesi synojnë Championsin

Prezantimi ishte seria e fundit e telenovelës “Kutinjo tek Barcelona”. Braziliani mbërriti në qytetin e tij të ri, në stadiumin që do të jetë shtëpia e tij, dhe në skuadrën për të cilën deshi patjetër që të luajë, duke ndihmuar trajnerin Ernesto Valverde që të mendojë për një plan më të detajuar të këtij sezoni.

Kutinjo nuk do të luajë në Champions, për shkak se u aktivizua me Liverpulin, por La Liga do të jetë e hapur për të, ashtu si edhe Kupa e Mbretit. Me këtë skenar, dhe me epërsinë e madhe në kampionat, Valverde i ka mundësitë që të lejojë veteranin Andres Iniesta që të lodhet më pak në Spanjë dhe të jetë më i freskët në Champions, objektiv që Barcelona nuk e ka arritur që nga viti 2015. Po ashtu, mund të kursehet në kampionat edhe Mesi (ndonëse lufton për titullin e golshënuesit), që edhe ai të shkëlqejë maksimalisht në Ligën e Kampionëve.

Shpenzimi ishte i madh, plot 160 milionë euro (120 menjëherë plus 40 më vonë), dhe klauzola e transferimit në kontratën e brazilianit është 400 milionë euro. Kutinjo ka firmosur deri në vitin 2023. Organizatori luajti 199 ndeshje për skuadrën angleze dhe tregoi se di të shënojë, duke realizuar 54 gola në 6 sezone, 38 prej të cilëve në 3 vitet e fundit.

Sfidanti.al