U desh vetëm një fitore e Mançester Junajtidit dhe një shkurtim i diferencës me Mançester Sitin (edhe pse mbetet 12 pikë), që Zhoze Murinjo të ndihej aq i fortë sa të sulmojë një legjendë të “djajve të kuq”, si Pol Skouls. Fjalët e trajnerit ishin në mbrojtje të futbollistit të tij, Pol Pogba. “Skouls do të mbetet në histori si një futbollist i madh, por si një parashikues dhe komentues i keq, – tha Murinjo, – ai nuk komenton, por vetëm kritikon. Nuk është faji i Pogbasë që fiton shumë më tepër para sesa Skoulsi, por kështu është futbolli”.
Skouls e kishte kritikuar ashpër mesfushorin francez përpara ndeshjes ndaj Evertonit, duke u shprehur se “Pogba nuk vrapon, por vetëm ecën në fushë”, gjë që nuk i pëlqeu Zhozesë. Gjithsesi, ndaj Evertonit në “Gudison Park”, Pogba luajti mirë dhe dha një asist, ndërsa golat u shënuan nga Antoni Marsial e Xhesi Lingard. Suksesi ishte shumë i rëndësishëm për Junajtidin pas disa rezultatesh jo të mira, ndërsa u arrit jashtë fushe dhe pa sulmuesin kryesor, Romelu Lukaku që është i dëmtuar.
Sfidanti.al