Mohamed Salah mbetet shkëlqimi më i madh i Liverpulit. Mesfushori sulmues egjiptian, që shënoi dy gola ndaj Leisterit në Premier, u krahasua me Lionel Mesin nga ish-sulmuesi i Arsenalit, Ian Rajt. “Salah ka të njëjtin talent dhe stil loje si Mesi”, – guxoi të thoshte Rajt, ndërsa mediat menjëherë u tallën me të: A je i sigurt, Ian?
Është apo nuk është si Mesi, kjo mbetet të shihet, por Salah 25-vjeçar tani ka 100 gola me klubet, plus 32 me kombëtaren e Egjiptit. Statistikat këtë sezon vërtet e afrojnë disi me argjentinasin e Barcelonës pasi ka shënuar 17 gola në 21 ndeshje në kampionat, dhe 23 gola në 29 ndeshje gjithsej në sezon. Përmirësimi është i ndjeshëm në krahasim me kohën kur luante tek Çelsi apo Roma.
Trajneri Jurgen Klop pohon se “Salah ka mundësi të përmirësohet ende”, ndërsa është entuziast se lojtarët do të ndihmohen nga afrimi i mbrojtësit Van Dajk. Gjithsesi, egjiptiani pësoi një dëmtim dhe mbetet në dyshim për ndeshjen e së hënës për kampionat, në fushën e Bërnlit.
Sfidanti.al