Në maj të 2017-ës ishte një nga trajnerët më të mirë të botës. Leonardo Zhardim fitoi kampionatin francez kundër çdo parashikimi duke mposhtur vetë “madhërinë e tij”, Paris SG. Jo vetëm kaq, por arriti në gjysmëfinale të Championsit duke eleminuar Sitin e Guardiolës dhe Dortmundin, veçse e dinte mirë se çdo të ndodhte.
“Monako ka një projekt të thjeshtë, – shprehet ai në një intervistë për mediat portugeze, – shet lojtarë për të ekuilibruar bilancet. Vitin e parë humba Hames Rodrigezin e Rivierin, vitin e dytë Marsialin, Karraskon dhe Kurzauan, por sezonin e tretë kur nuk humba asnjë lojtar, fitova titullin. Në verë e dija se do të na largoheshin futbollistë”. Zhardim parashikon që Monako të luftojë për titull kur të mos largohen lojtarë në verë, edhe pse mund të mos mjaftojë.
“Paris SG është ekipi që ka shpenzuar më shumë para jo vetëm në Francë, por në të gjithë botën, – thekson ai, – objektivi i madh për PSG-në nuk është fitorja e kampionatit, por fitorja e Championsit. Me të tillë rival do të duhet të konkurrojmë, dhe duhet të kemi një skuadër të madhe që t’ia dalim, nuk mjafton të kesh skuadër të mirë”.
Sfidanti.al