Sfidat sikur ishin zgjedhur me dorë. NBA ofronte për publikun amerikan dhe botëror dy superndeshje në mbrëmjen e Krishtlindjeve në SHBA. Ato ishin Golden Stejt-Klivlend dhe Oklahoma-Hjuston. Fitoret ishin të vendasve, të udhëhequr nga yjet e tyre Kevin Durant dhe Rasëll Uestbruk.
Në Arenën e Oklendit u riluajt finalja e vjetshme e kampionatit, por ku mungonte Stefën Kërri. Kjo ia vështirësoi punën Golden Stejtit që, për fat, pati një treshe të madhe si Durant-Grin-Tompson, ndërsa në krahun tjetër nuk mjaftuan Lebron Xhejms, Kevin Lov dhe Duejn Uejd.
Në suksesin 99-92, Durant shënoi 25 pikë, kapi 7 topa në tabela, shërbeu 3 asistë, vodhi dy topa dhe bllokoi 5 gjuajtje të kundërshtarëve duke treguar talentin e tij të rallë. Drejmond Grin realizoi tripëll dabëllin e parë të sezonit me 12 pikë, 12 topa në tabela e 11 asistë, por edhe vodhi dy topa dhe bllokoi një gjuajtje, ndërsa Klej Tompson pati 24 pikë e 7 topa në tabela.
Lebron u mbulua fort dhe mundi të shënonte vetëm 20 pikë, me 6 topa në tabela e 6 asistë, në një mbrëmje “të qetë” për të. Kevin Lov u përpoq shumë me 31 pikë e 18 topa në tabela, por nuk ia doli i vetëm, ndërsa Uejd shënoi13.
Në Oklahomë, Uestbruk shënoi 31 pikë, por nuk arriti dot tek tripëll dabëlli i 12-të sezonal. Vërtet dhuroi 11 asistë, por kapi “vetëm” 6 topa në tabela. Pol Xhorxh shtoi 24 pikë dhe Karmelo Entoni edhe 20 të tjera për suksesin 112-107. Për Hjustonin shkëlqeu si gjithnjë Xhejms Harden me 29 pikë, 8 topa në tabela e 14 asistë.
Sfidanti.al