Në Europë është kthyer Era e Absolutizmit. Ashtu si dikur, mbretërit dhe perandorët sundonin pa kushtetutë dhe në mënyrë të plotë, edhe disa nga ligat kryesore të kontinentit po dominohen tërësisht nga kryesuesit. Flitet për kampionate të tillë si ai i Spanjës, i Anglisë, Francës dhe Gjermanisë.
Në Spanjë, Barcelona ka 9 pikë epërsi ndaj Atletikos së Madridit dhe 14 pikë më shumë sesa Reali, duke vendosur dominimin në Spanjë. Lionel Mesi është simboli i katalanasve, edhe një herë tjetër. Mançester Siti është 13 pikë përpara vendit të dytë në Premier Ligë, dhe skuadra e Pep Guardiolës po fluturon lart e më lart. Tek anglezët është vështirë të veçohen lojtarë, edhe pse Kevin De Brujn cilësohet si ylli kryesor, por bashkë me të edhe portieri Ederson, kapiteni Kompani, dhe sulmuesit Aguero, Gabriel Zhezus e Stërling.
Paris SG në Francë ka 9 pikë epërsi me Monakon dhe Lionin që e ndjekin më “pranë”, ndihmuar nga 19 golat e Edinson Kavanit dhe 9 asistet e Nejmarit. Së fundi (por, jo i fundit nga rëndësia), Bajerni i Mynihut, sunduesi i Bundesligës. Rikthimi i Jup Hajnkesit në stol solli kthesën dhe bavarezët kanë 11 pikë epërsi ndaj Shalkes (41-30), edhe pse Dortmundi ka shënuar më shumë gola (39 ndaj 37). Tek Bajerni, padyshim veçohet Robert Levandovski, shënuesi më i mirë i kampionatit me 15 gola në 17 ndeshje.
Vetëm Seria A bën përjashtim, nga pesë ligat e mëdha, pasi Napoli e Juventusi ndahen vetëm me një pikë, dhe në garë për titull janë edhe Interi, Roma e Lacio.
Sfidanti.al