Mund të jetë një rekorde për ndeshjet derbi. Partizani i Beogradit u desh të priste 22 vjet derisa të fitonte një penallti në derbin e madh ndaj Crvena Zvezdës. Kjo ndodhi në mbrëmjen e së shtunës, dhe njeriu që “pati guximin” ta bënte ishte gjyqtari më i mirë i Serbisë, Milorad Maziç. Në minutën e 60-të ai akordoi 11-metërsh për bardhezinjtë, pasi Vujadin Saviç pengoi në zonë Ozhegoviçin, ndërsa protestat e Zvezdës ishin të kota, madje miqtë ishin me fat që Saviç nuk mori të verdhin e dytë dhe të kuqin.
Njeriu që e shënoi këtë penallti ishte Sejduba Suma në minutën e 62-të. Vështirë të kuptohet se përse Partizani priti që nga viti 1995 për thjesht një penallti në “veçiti derbi”, por kjo mund të quhet vetëm një rastësi. Problemi ishte që ndeshja nuk u fitua dhe diferenca me Zvezdën e vendit të parë mbeti 9 pikë. “Crvenobelit” kanë edhe golaverazh më të mirë, 55-8 ndaj 42-18 të rivalëve pas 22 javëve, ndërsa kryesojnë bilancin e ndeshjeve derbi me 107 fitore, 61 barazime e 78 humbje, duke përfshirë takimet në çdo kompeticion.
Sfidanti.al