Ky po që është një kampionat unikal, madje ka ardhur koha që dikush të riaktivizohet, duke filluar të thërrasë se po ndjekim një futboll të rrallë, të paparë askund tjetër në Ballkan dhe padyshim për meritën ekskluzive të atyre që e drejtojnë. Flitet për një kampionat të ngujuar, i cili gjithnjë e më shumë po ndahet me publikun, pra me fjalë të tjera, Federata po arganizon një aktivitet vetëm për vete, si të ishte një mbledhje me dyer të mbyllura. Gjatë fundjavës së kaluar, Laçi e mundi Skënderbeun pa praninë e tifozëve në shkallët e stadiumit, pasi fusha e kurbinasve ishte e pezulluar. Në Kamëz të krijohej përshtypja sikur qyteti ishte në gjendje të jashtëzakonshme dhe impiantin ku duhej të luhej futboll e kishin evakuuar. Ndërsa arsyeja pse ndodh ky bojkot masiv është, se në këtë futboll kaq të gënjeshtër, ku verdiktet e sezonit janë gjithmonë të paracaktuara, endërrat e bukura si kjo e skuadrës periferike të kryeqytetit janë të destinuara të zgjasin shumë pak. Flamurtari është gjithmonë gjysmë i dënuar, me arsye ose jo, ndërsa për Partizanin kishin shpikur një mënyrë tjetër ndëshkimi, për ta luajtur sërish ndeshjen pa praninë e tifozëve, megjithëse nuk kishte një vendim të Komisionit të Disiplinës. Në fakt ishte policia, që në ndeshjen ndaj Teutës nuk i lejoi tifozët e skuadrës së kuqe të hynin në “Selman Stërmasi”, pa pasur një mjet identifikimi, që do të thotë kartë identiteti, ose pasaportë biometrike, duke marrë shtysë nga incidentet e një mbrëmje më parë, në prag të një ndeshje basketbolli. Por më parë ishte lajmëruar edhe FSHF, institucioni që kur flitet për klube të mallkuara është i gatshëm të komplotojë, kështu që nuk e transmetoi njoftimin. Dhe kjo ishte arsyeja e rrëmujës së rradhës, kur tifozët e Partizanit kishin prerë nga një biletë, por mbetën pas dyerve të stadiumit, ndërsa futbollistët refuzuan të fillonin ndeshjen pa praninë e tyre, pasi nuk mbanin mend që së fundi të ishin dënuar zyrtarisht.
Ndërkohë që po atë javë, jo vetëm që askund tjetër nuk u kërkuan nga forcat e rendit karta identiteti, por edhe u luajt në ambjente fare të pasigurta dhe me prani minimale të policisë. Në Përmet pushtuan fushën nga të katër anët dhe e rrezikuan seriozisht jetën e një djali të ri që ka vendosur të bëhet arbitër, ndërkohë që duke filluar nga niveli më i lartë i kampionatit shqiptar, Federata ka licensuar stadiume, të cilat në kushte normale nuk duhet ta kishin fituar këtë të drejtë. Por kjo zemërgjerësi, padushim që ka efekt prapaveprues, pasi diku bëhet për të favorizuar klube që janë të regjistruara në listën “e dashurisë” së shefit, ndërsa i gjithë ky masivitet mund të përkthehet me vota pro në Asamblenë e marsit. Këto janë vërtetë të rëndësishme, më shumë edhe se jeta e atij arbitrit nga Fieri që sapo e kaluar adoleshencën, apo tifozët e Partizanit, të cilëve papritur u kërkohej vizë dhe check-in, për të hyrë në stadiumin e lagjes.