U desh një karton i kuq në pjesën e dytë që Vijarreali të dorëzohej përpara Barcelonës. Katalanasit dhanë një shembull efektiviteti dhe gatishmërie për të përfituar nga situatat, kur shënuan shpejt e shpejt dy gola dhe morën një nga tripikëshat më të rëndësishëm të kampionatit spanjoll. Dani Raba u përjashtua në minutën e 60-të dhe Luis Suarez shënoi në 72’, e Lionel Mesi në të 83-ën për shifrat 0-2.
Me 39 pikë pas 15 javësh, kryesuesit sërish janë të paprekshëm, duke pasur 8 pikë epërsi ndaj rivalit të vetëm serioz për titullin, Realit. Ashtu si Mançester Siti dhe Interi, Barça është një nga liderët e paktë të pathyer në ligat europiane.
Nëse me Guardiolën sidomos, por edhe me Luis Enriken, kishte “tiki taka”, me Ernesto Valverden gjërat kanë ndryshuar, edhe pse katalanasit mbeten superiorë ndaj kundërshtarëve në mbajtjen e topit. Barça e sotme mezi pëson gola, madje edhe kur ka dëmtime në mbrojtje, dhe është fakt që 7 rrjeta në 15 javë tregojnë një siguri të jashtëzakonshme në prapavijë. Ndoshta, shënon diçka më pak, por sërish askush nuk realizon më shumë në La Liga.
“Ndeshja ishte e vështirë, – u shpreh trajneri Valverde, – Vijarreali është i rrezikshëm në kundërsulm, por ia dolëm. Nuk mund të them se ishte fitore që na dha qetësi, pasi në futboll nuk ka qetësi. Menjëherë vjen ndeshja e radhës. Kartoni i kuq? As Raba nuk protestoi kur e mori”.
Sfidanti.al