Gatuzo dhe Bonaventura, më në fund “aventurë e mirë” e Milanit

Xhek Bonaventura duhet të ketë qenë njeriu më i dashur për Xhenaro Gatuzon, të paktën këtë të diel. Fjala “dashuri” duhet të ketë qenë me kuptimin e saj të plotë, pasi ky futbollist me dy golat e tij e bëri më në fund fitues Gatuzon në stolin kuqezi. Suksesi i tij i parë ishte 2-1 ndaj Bolonjës në “San Siro”, në ndeshjen e fundit të javës në Serinë A.

Bonaventura përkthehet në shqip “aventura e mirë” dhe ndaj bolonjezëve, më në fund, Milani pati një aventurë të mirë, që i jep pak qetësi, edhe pse gjigandët e Serisë A mbeten shumë larg zonës Champions. Po kush po mendon për renditjen tani? Barazimi i turpshëm me Beneventon dhe humbja e rëndë në fushën e Rijekës në Europë kërkonin si përgjigje vetëm fitore ndaj Bolonjës dhe ajo u arrit.

Edhe pse fitore modeste dhe e vuajtur (goli i dytë 15 minuta para fundit) sërish kjo duhet vlerësuar pasi Milani nuk fitonte dhe as nuk shënonte në fushën e vet në kampionat që nga 20 shtatori (!). Me këtë sukses, milanistët kanë tani 24 pikë dhe janë në vendin e 7-të, vetëm 3 pikë larg Sampdorias që ka luajtur një ndeshje më pak. Për të arritur, zonën Champions, sidoqoftë, duhen rikuperuar 14 pikë ndaj Juventusit.

Sfidanti.al