Kristiano Ronaldo e fitoi, për herë të pestë, “Topin e artë”, duke u barazuar, kështu, me Lionel Mesin. Të dy këta futbollistë, prej 10 vitesh, e kanë “monopolizuar” këtë trofe prestigjioz. Duke filluar nga 2008 deri pak ditë më parë, nuk ka pasur shumë dilema rreth faktit se kush do ta fitonte këtë trofe të madh, pasi atë e fitonin ose Mesi ose Ronaldo, ndërkohë që se kujt do t’i shkonte “Topi i artë” sivjet, mund të parashikohej lehtë, pasi dihej se ai do t’i jepej Ronaldos që, me Realin e Madridit, e fitoi, për herë të dytë radhazi, Ligën e Kampioneve.
Lista e fituesve të “Topit të artë” do të ishte shumë më e larmishme, nëse të dy futbollistët e lartpërmendur nuk do të ishin aq dominues ose, thjesht, duke supozuar hipotetikisht, se ata të dy nuk do të ekzistonin fare! Duke gjykuar nga pikët e grumbulluara gjatë votimeve, nga dy “Topa të artë” do të kishin fituar Cavi, Iniesta dhe Nejmari. Lista, në fakt, nga viti 2008, do të duhej të fillonte me Fernando Toresin që, atë vit, ka qenë në formë të shkëlqyer me Liverpulin, duke arritur deri në gjysmëfinale të Ligës së Kampioneve. Më 2013, trofeun do të mund ta fitonte Frank Riberi që arriti një triumf të trefishtë me Bajernin e Mynihut, më 2014 “Topin e artë” do ta fitonte portieri i Bajernit, Manuel Nojer, duke qenë se Gjermania u shpall kampione bote, më 2014, ndërsa, vitin e kaluar, laureat do të ishte sulmuesi Antoan Grizman që zhvilloi një sezon fantastik me Atletikon e Madridit.
Sfidanti.al