Meritoi pa dyshim më shumë sesa humbja. Sidoqoftë, Skënderbeu u mund në Zvicër, në mënyrën më të hidhur të mundshme, pikërisht në momentet e fundit të përballjes së fundit në grup në Ligën e Europës. Një gol i Asales i dha fitoren 2-1 Jang Bojsit, duke zbritur korçarët në vendin e katërt dhe të fundit në grup.
Mungesa e përvojës, por edhe e fatit, si dhe ndryshimet e detyruara në formacion nuk e lejuan skuadrën e trajnerit Ilir Daja të merrte të paktën barazimin, që e meritonte plotësisht.
Pas një pjese të parë të ekuilibruar, ku zviceranët rrezikuan pak më shumë, ekipi shqiptar bëri gjithçka për të fituar në të dytën. Pavarësisht se edhe vendasit iu afruan golit, sërish kryesuesit e Superligës mund të kishin shënuar më shumë se një gol, me rastet që patën Muzaka, Demte apo Gavazaj.
Ishte pikërisht Gavazaj që kaloi Skënderbeun në epërsi në minutën e 51-të. Fatkeqësisht, ashtu si në ndeshjen e parë në “Elbasan Arena”, Skënderbeu tregoi se nuk di ta ruajë epërsinë dhe Jang Bojsi barazoi shpejt, kur topi u dërgua në rrjetë nga Horo. Në fund, erdhi goditja e hidhur, por gjithsesi me 5 pikë të fituara në grup, korçarët kanë vendosur një rekord të ri shqiptar në fazën e grupeve të Ligës së Europës.
Sfidanti.al