Disfatë në UEFA, disfatë në Rijekë, ku je Milan i Gatuzos?!

Në rrjetet sociale nuk përmbahet kush. Tifozët apo antitifozë të Milanit, që të gjithë i janë vënë kuqezinjve që morën disfatën e dytë radhazi brenda ditës. Më herët, UEFA skualifikoi planin financiar të aksionerëve kinezë, dhe me shumë gjasë do të ketë ndëshkime e pezullime, ndërsa në fushën e lojës, Rijeka jo edhe aq e madhe e Kroacisë, e mposhti skuadrën e trajnerit Gatuzo.

Përfundoi 2-0 për vendasit ndeshja e fundit në grup e Ligës së Europës, me golat e shënuar në stadiumin “Kantrida” nga Puljiç e Gavranoviç. Milani doli në vend të parë në grup, por askujt nuk i hyn në sy diçka e tillë, ndërsa kujtohet barazimi turpërues 2-2 në fushën e Beneventos në Serinë A.

“Nuk jemi në gjendje të reagojmë, është faji im”, – ishin fjalët e “luftëtarit” Gatuzo, por rrjetet sociale u treguan të pamëshirshme. “Si milanist nuk më mbetet tjetër veçse akti i skajshëm”, ishte një koment ku në foto ishte vendosur gjenerali kroat i dënuar nga Haga, që piu helmin në sallën e gjyqit. Gjeneralin e ndjerë e kishin veshur me fanelën e Milanit. Një koment tjetër thoshte se “mund të kishte shkuar më keq, mund të kishte shënuar edhe portieri i Rijekës”, duke iu referuar golit të shënuar nga portieri i Beneventos.

E vërteta është se humbja ishte e hidhur edhe sepse në fushë kishte shumë lojtarë të njohur si Romanjoli, Paleta, Zapata, Lokateli, Bilia, Andre Silva, Kutrone, si dhe Abate.

Sfidanti.al