“Tradhëtia” hipën në majë të kullës, u sosën puthjet me politikën zoti Duka..

Njerëzit e presidentit Duka janë gati të rrezikojnë edhe kokën, të  ngjiten në majën e  Kullës së pambaruar të stadiumit të ri  që po ndërtohet në kryeqytet , vetëm  për të mësuar se deri ku shkon e vërteta lidhur  me kandidimin e Bashkim Finos për postin e presidentit të FSHF-së. Është hera e parë në këto 16 vite, kur lepuri i frikës në bark po rritet më shpejt se sa shqiponja kuqezi me të cilën maskojmë lëkurën.  Po pse pikërisht Bashkim Fino? – kjo pyetje  ka prishur gjumin për 7 palë qejfe te “mbretit” dhe shpurës  zyrtare, të  cilët sa herë mbërrinin zgjedhjet tregonin barsaleta hokatare me rivalët e pafatë, të cilët binin në tapet ende pa filluar ndeshja. Me mburrje, dhe aspak me turp, tregohet akoma për “rekordin e zi” ,  rastin unikal dhe kontravers në konkurrimin e Rudi Vatës për president, kur u realizua  tradhetia spektakolare dhe më e paskrupullt nga morali, atëherë kur futbolli tradhëtoi masivisht kapitenin e saj, duke i dhënë vetëm një votë! Në emër të futbollit..kundër futbollit. Kjo ka qënë loja 16 vjeçare , ku vota e dalë nga dora e allçinosur e Asamblesë, bekohej edhe nga politika, tjetër punë se shtirej sikur nuk kishte fjetur me të  në krevat..

Dhe çfarë krevati!  Edhe pse na thonin se UEFA e ka përcaktuar stilin dhe sipas saj futbolli do të jetë mbi politikën, natën, por dhe ditën, çifti  nuk pyeste për rregulla sepse ndiqte instiktin e interesit. Kur u kualifikuam në Europian, për të bërë sa më të vërtetë dhe më të besueshme prekjen e qiellit të shtatë, shefat e futbollit u futën në trupin e politikës. Mu para syve të UEFA-s, e cila na bëhej sikur spërkaste me oriz dhe karamele çiftin, që kishte blerë   lumturinë me para gjoja të vërteta. Ato ditë, kur futbolli krenohej se shefi i saj, Duka, ishte një “magjistar”  që Shqipërinë e vogël ta bënte të madhe brenda natës, lindi edhe  skedina historike , ku futbolli ishte njëshi i madh, politika më e bukur, një gënjeshtër ndryshe nga të tjerat. Ka një thes me arsye, por edhe prej këtij deliri ,  futbolli, ose më mirë zoti i tij i lodhur me pushtet, po ndihet i tradhëtuar në këto momente, kur dëgjon se në lojën e madhe, topin nuk e ka ai, por të tjerët…

 

Gëzim Sinemati

Botuar ne gazeten Panorama Sport