Lebron Xhejms nuk di të plaket, “Mbreti” i afrohet kuotës 30 000 pikë!

Po jeton rininë e dytë të karrierës. Lebron Xhejms nuk i ndjen aspak 32 vitet që ka mbi shpinë, duke i sfiduar me paraqitjet e shkëlqyera njërën pas tjetrës. Ylli i Klivlendit i dha fitoren e 11-të radhazi skuadrës në këtë sezon të NBA-së, duke shënuar plot 34 pikë në fitoren e arritur me shumë mund ndaj Memfis Grizlit.

Në 39 minuta në fushë, Lebron ishte një kënaqësi për gati 20 000 spektatorët në Arenën e Klivlendit, duke ndihmuar shokët për të shënuar me talentin e tij të veçantë. Plot 12 ishin asistet e Xhejmsit, që këtë herë nuk u lodh shumë për të kërcyer në tabela, duke kapur vetëm 2 topa në mbrojtje dhe sulm. Gabimet e vetme i bëri në gjuajtjet për tri pikë, duke gabuar në të tria përpjekjet.

Falë ndihmës së kapitenit, Kevin Lov shënoi 20 pikë, Smith pati 17 dhe Uejd shtoi 16 të tjera. Lov ishte dominues në tabela duke kapur 12 topa në ndeshjen e fituar 116-111. Niveli shumë i lartë i Lebronit bëri që Kavaliersët të përballonin forcën e Memfisit, për të cilin Evans shënoi 31 pikë dhe spanjolli Mark Gasol 27. Klivlendi ka tani 16 fitore e 7 humbje, duke u ngjitur në vendin e dytë në Konferencën Lindore, pas Bostonit.

Me 34 pikët e shënuara, Xhejms vazhdon t’i afrohet kuotës së 30 000 pikëve në karrierë në NBA. Shpejt ai do t’ia dalë dhe do të jetë lojtari i 7-të në histori në këto shifra, ndërsa objektiv i tij mbetet që bëhet numri 1 në këtë renditje, duke kaluar legjendat Çembërlen, Xhordan, Brajant, Malon e Xhabar.

Sfidanti.al