Lebron Xhejms nuk po kursehet aspak, por po ashtu edhe Kajri Irving. Dy yjet që vjet ishin së bashku, po vazhdojnë të fitojnë edhe veç e veç në NBA, siç ndodhi edhe mbrëmjen e fundit. Lebron udhëhoqi Klivlendin në suksesin bindës në fushën e Atlantës, ndërsa Kajri ishte sërish në “timon” për Bostonin që mundi Filadelfian.
Ndryshe nga vjet, Xhejms nuk po ulet shumë në stol, ndoshta i detyruar nga nevoja e Klivlendit për të lënë pas fillimin e keq të sezonit, edhe pse kjo mund të ndikojë për keq në plej of. Ai ishte në parket për 37 minuta nga 48 gjithsej, shënoi 24 pikë, kapi 6 topa në tabela, dha 12 asiste, vodhi 2 topa dhe bllokoi po 2 gjuajtje të kundërshtarëve. Një ndeshje thuajse perfekte, sidomos edhe me saktësinë në gjuatje (73 për qind për dy pikë, 50 për qind për tri pikë). Pas suksesit 121-114, Klivlend ka 15 fitore e 7 humbje, duke qenë në vend të tretë në Lindje.
Irving ndoshta e pati më të lehtë, pasi Sëlltiksët luajtën në Arenën e tyre. Gjithsesi, ai nuk mbeti prapa Lebronit, sidomos me shënimin e 36 pikëve në vetëm 32 minuta. Kjo kompensoi kontributin më të vogël në elementët e tjerë (4 topa në tabela, 3 asistë). Sëlltiks triumfoi 108-97, ndërsa vazhdon të mbajë ritmin e lartë edhe pse me shumë lojtarë të rinj. Bostoni kryeson Konferencën Lindore me 19 fitore e 4 humbje, duke qenë edhe skuadra më e mirë në të gjithë NBA-në.
Sfidanti.al