Kantona nuk e pëlqen, por Man. Junajtid nuk heq dorë nga titulli

Karakteri i trajnerit përcakton atë të skuadrës, por po ashtu edhe mentaliteti i tij i jep ekipit mënyrën e lojës. Erik Kantona nuk është ndonjë tifoz i zjarrtë i stilit të Zhoze Murinjos, por edhe ai pranon se portugezi nuk dorëzohet kurrë. Kjo është edhe shpresa që kanë tifozët e Mançester Junajtidit, që skuadra e tyre pavarësisht gabimeve të bëra dhe lojës jo edhe aq tërheqëse, do të pretendojë për titull.

Fitorja 4-2 në fushën e Uatfordit ishte një hap në drejtimin e duhur, edhe pse suksesi i “djajve të kuq” varet nga këmbët e rivalëve të Sitit. Të vjetër e të rinj ishin protagonistë, me veteranin Eshli Jang që shënoi dy gola kur Murinjos i duheshin më shumë, me Pol Pogbanë që po përpiqet më shumë në mesfushë, me sulmuesin gjithnjë në formë Antoni Marsial, por edhe me Xhesi Lingardin e vënë shpesh në dyshim. Nuk pati shumë kohë për heroizma nga Ibrahimoviç, pasi Murinjo po përpiqet ta ruajë suedezin, duke e hedhur në fushë vetëm në minutën e 88-të.

Mançester Junajtid vazhdon të mos jetë i bukur dhe e mbajti topin vetëm 41 për qind, por për Zhozenë kjo nuk ka asnjë problem përsa kohë që fitohet. Shqetësimi i tij më i madh është dobësia në lojën mbrojtëse, shtylla e sistemit të tij. Junajtid pësoi dy gola kur kryesonte 3-0, dhe kur kjo ndodh ndaj Uatfordit çfarë mund të ngjajë ndaj pretendentëve për titull?

Sfidanti.al