Zidan një optimist i pandreqshëm, por Reali i tij nuk jep shpresë!

Le të mos e ekzagjerojmë, pasi në fushë luajti me të vërtetë Reali B. Vetëm portieri Kejlor Navas dhe mbrojtësi i qendrës Naço ishin lojtarë që mund të quhen titullarë në ndeshjen e parë të Kupës së Spanjës ndaj Fuenlabradës. Po ashtu, Bejl pas pushimit. Gjithsesi, luhej ndaj një kundërshtari të kategorisë së tretë dhe luhej në “Santiago Bernabeu”, ndaj edhe rezultati 2-2 ishte vërtet negativ për kampionët e Spanjës, të Europës dhe të Botës.

“Nuk jam aspak i mërzitur apo i shqetësuar, – tha trajneri pas ndeshjes, – ishte e parashikuar. Nuk është e lehtë kur luajnë lojtarë që nuk kanë përvojë, apo lojtarë të akademisë. Fuenlabrada luajti shumë mirë. Rëndësi kishte kualifikimi dhe ia dolëm”. E vërtetë, por Reali është 8 pikë prapa Barcelonës në La Liga, ndërsa mbeti në vend të dytë në grupin e Championsit, pas Totenhemit që është në vend të pestë në Premier Ligë. Sezoni pra nuk duket “rozë”.

Publiku madje vërshëlleu “rëndshëm” lojtarët e vet në pushim, kur Fuenlabrada kryesoi 1-0 duke dominuar plotësisht dhe duke shpërdoruar raste për gola të tjerë. U desh Bejl që të ndryshonte lojën, edhe pse nuk shënoi, por të dy golat e Borha Majoralit erdhën nga asistet e uellsianit.

Sfidanti.al