Stadiumi mitik “Anfild” përjetoi një tjetër mbrëmje futbolli “si ato” në Angli, por publiku prej mbi 53 000 tifozësh nuk u kënaq plotësisht të paktën për rezultatin. Liverpuli e Çelsi “iu hodhën në fyt” njëri-tjetrit për 90 minuta, plus shtesat, dhe në fund “produkti” ishte një barazim 1-1 që kënaq më shumë Mançester Sitin apo Mançester Junajtidin. Mirë që, të paktën, gaboi edhe Totenhemi, ndonëse rezultati në Liverpul ishte një “ftesë” edhe për Arsenalin.
Spektakli nuk mungoi dhe as frenezia, me lojë sulmuese, me vrapime pa fund, dhe me duele të ashpër, siç është tradita në ishull. Mohamed Salah, një ish-lojtar i bluve, shënoi golin e epërsisë për vendasit dhe zgjodhi të mos festonte, ndërsa Uillian shpëtoi pikën për Çelsin, duke e kaluar në çmenduri trajnerin e tij, Antonio Konte. “Mund të kishim humbur, por edhe mund të kishim fituar”, – ishin fjalët e italianit pas ndeshjes.
“Më vjen keq që pësojmë kaq lehtë golat, – ishte përgjitgja e Jurgen Klopit, – mbrojtja jonë ka nevojë për më shumë altermativa”. Klop kërkoi të shpenzonte 60 milionë stërlina për mbrojtësin e Sauthemptonit, Van Dajk, por nuk ia doli, ndonëse do të provojë në verë, kur të vijë edhe Nabi Keita nga Lajpcigu. Për fat të keq, Filip Kutinjo me siguri do të jetë larguar atëherë për në Barcelonë. Barazimi bëri që Çelsi të mbetej 3 pikë prapa Mançester Junajtidit (29 ndaj 26 pikë), ndërsa Liverpuli është në pozitë më të vështirë, me 23 pikë.
Sfidanti.al