Mezi po e shtyjnë deri në fund të vitit. Fati në futboll ndryshon më shpejt se moti, dhe trajneri Zinedin Zidan e bëri të qartë se nuk përjashton aspak përforcimet në janar tek Reali i tij i tronditur. Kristiano Ronaldo e shënoi më në fund golin e dytë në La Liga, por madrilenët mezi fituan 3-2 ndaj Malagës, edhe pse po luanin në stadiumin e tyre “Santiago Bernabeu”, në prani të gati 80 000 tifozëve.
“Këtë herë duhet të kënaqemi me 3 pikët dhe të shohim sesi do të shkojë Valencia-Barcelona, – pohoi thjesht Zidani, – na pëlqen shumë të luajmë në shtëpi, dhe nuk luajtëm aspak keq, duke shënuar 3 gola, por vazhdojnë të na ndodhin gjëra të pazakonshme. Duhet ta dimë se rivalët vijnë këtu gati për të dhënë jetën, dhe nëse nuk japim maksimumin e maksimumit nuk fitojmë dot”.
Zidan e pret shkurt se “në janar nuk do të ketë largime, ndërsa përsa i përket blerjeve gjithçka mund të ndodhë, do të shikojmë se çfarë mund të bëjmë”. Me siguri Zidan po mendon për përforcime në sulm dhe në ndonjë repart tjetër, edhe pse nuk deshi të jepte hollësi. Kritika e tij e vetme ishte se “kemi humbur shumë topa dhe kjo nuk është e zakonshme”. Përsa i përket Ronaldos, trajneri francez e mbrojti yllin e tij duke thënë se “Kristiano pati disa raste, por duhet të vlerësojmë edhe portierin”.
Sfidanti.al