Luka Donçiç nuk mund të mjaftojë gjithnjë, dhe nuk qe e mundur të mjaftonte në Arenën e nxehtë “Paqja e Miqësia” të Athinës. Panathinaikos, një nga ikonat më të mëdha të Euroligës, ia doli “me shpirt ndër dhëmbë” t’ia rrëmbente fitoren Realit të Madridit, me shifrat 82-80. Talenti 18-vjeçar slloven shënoi 19 pikë, duke qenë më i miri i të vetëve, por grekët patën zemër më të madhe. Ata u udhëhoqën nga një ish-madrilen si Rivers që shënoi 20 pikë. Kjo bëri që Panathinaikos të dalë mbi Madridin në renditje, me 6 fitore e 3 humbje, ndaj 5-4 që është bilanci zhgënjyes i 9 herë kampionëve të Europës.
Në krye janë CSKA e Moskës dhe Olimpiakos i Pireut, me nga 7 fitore e 2 humbje, ndjekur nga Fenerbahçe dhe pikërisht Panathinaikos. Edhe CSKA-ja e arriti fitoren “në fije të perit”, në fushën e Unikahës së Malagës, duke shfrytëzuar një pjesë të katërt të shkëlqyer. Shtatë herë kampionët e Europës triumfuan 89-80 falë 21 pikëve të Sergio Rodrigezit, 14 të amerikanit Higins, 13 të francezit De Kolo dhe 13 të rusit Voronceviç.
Kampionia e Europës në fuqi, Fenerbahçe, pati po ashtu një sukses dramatik. Turqit ia dolën në Stamboll ndaj skuadrës së fortë ruse, Himki të Moskës, me shifrat 71-67. Edhe pse kryesuan vazhdimisht, një pjesë e katërt e dobët thuajse i solli humbjen përballë ekipit të udhëhequr nga Aleksei Shved, që ishte shënuesi më i mirë i ndeshjes me 21 pikë.
Sfidanti.al