Thjesht kujtoi se kush luajti në shtatë finalet e fundit radhazi. Klivlend Kavaliers ndoshta është ende larg maksimumit, por Lebron Xhejms bëri që gjithçka të dukej e arritshme. Basketbollisti më i mirë në botë, në radhët e nënkampiones ne fuqi të NBA-së, u tregua dominues në fushën e Sharlotës, dhe skuadra e tij ia doli 115-107.
Për herë të parë në këtë sezon, Klivlendi arrin tri fitore radhazi, dhe po ashtu doli me bilanc pozitiv, 8 fitore e 7 humbje, ndonëse ende tepër larg kreut të Konferencës Lindore, mbajtur nga Boston Sëlltiks. Lebron shënoi 31 pikë, kapi 6 topa në tabela dhe shërbeu 8 asistë, por shtoi edhe 2 vjedhje topi dhe një bllokim gjuajtjeje. Lojtari i Sharlotës, Nik Batëm, deklaroi se pavarësisht renditjes, Klivlendi mbetet skuadra më e mirë në Lindje.
Xhejms u ndihmua nga Kevin Lov me, 22 pikë, e 10 topa në tabela, si dhe nga Kajl Korver me 11 pikë. Korver bëri pak pushim pas ndeshjes fenomenale në Nju Jork, që u fitua me përmbysje 104-101, duke realizuar 21 pikë, nga të cilët 5 tripikësha. Lebron po ashtu ishte i madh në atë ndeshje, me 23 pikë, 12 asistë, e 9 topa në tabela.
Duket pak herët për të dhënë gjykimin përfundimtar për Kavaliersët, të dëmtuar nga largimi i Kajri Irvingut për tek Bostoni, dhe nga dëmtimi i Tomasit ardhur po nga Bostoni. Të gjitha fitoret kanë qenë tepër të vështira, dhe nuk dihet nëse Lebron do të ketë energjinë të mbajë barrën deri në fund të sezonit të rregullt dhe pastaj në plej of.
Sfidanti.al