Ronald Kumani, trajneri i ekipeve të “karameleve”, sikurse quhet ndryshe Evertoni anglez, deklaroi, këto ditë, se ai është gati që ta angazhojë Uejn Runin që, tanimë, e ka humbur vendin e tij në formacionin e parë të Mançester Junajtidit dhe për të cilin thuhet se ka në plan që të largohet nga “djajtë e kuq”.
Si destinancione eventuale të Runit 31-vjeçar po përmenden, midis të tjerave, Kina dhe SHBA-ja, por, sikurse thamë më lart, edhe ish-ekipi i tij i Evertonit. “Runi është një futbollist i shkëlqyer, ai ka shumë oferta, kështu që përfundimi i karrierës së tij është ende larg”, vuri në dukje Kumani, duke shtuar se ai nuk e njeh saktë situatën, në të cilën ndodhet Runi, por se ai do të ishte mjaft i kënaqur, në rast se Runi do të kthehej te Evertoni.