Presidenti i ri i FSHF-së, shqiptarët dhe ambasadorët e munguar

Mes njerëzish këtu tek ne thuhet shpesh se “Ahmed Zogu dhe Enver Hoxha ia kishin gjetur mendjen këtij populli”. E përkthyer më “shqip” do të thotë se këta të dy ishin udhëheqësit tradicionalë, pavarësisht ndryshimeve ideologjike, dhe se këta mund të qeverisnin sa të kishin jetë.

Një gjë e ngjashme po ndodh me Federatën Shqiptare të Futbollit (FSHF), tek e cila presidenti Armand Duka udhëheq prej 15 vitesh dhe me shumë gjasa do të vazhdojë të jetë në krye edhe pas vitit të ardhshëm, për të mbërritur në 20 vjet. Padyshim edhe për Dukën, nga ata që e duan dhe nga ata që nuk e duan, thuhet se “ky ia ka gjetur mendjen këtij populli, njerëzve të futbollit”.

Në politikë, pas 1990-ës ndërhynë faktorët ndërkombëtarë dhe, ndonëse brenda partive mbeti thuajse po ajo gjendje, “Rrnoftë Mbreti”, “Enver Hoxha tungjatjeta”, të paktën sistemi politik u bë pluralist dhe, me luftë apo pa luftë, rotacioni kryhej dhe vazhdon të kryhet.

Në futboll jo. Për fat të keq, vetë faktori ndërkombëtar është ende larg ndryshimit të vetvetes. Mjafton të kujtojmë “mbretërimet” e gjata të Zhoao Havelanzhit, Zep Blaterit, Mishel Platinisë apo presidentit të Federatës Spanjolle, Vijar. Përsa kohë që të huajt nuk do të jenë si ambasadorët që kemi këtu në Tiranë për politikën, vështirë të mendohet rotacioni, aq më pak të kemi ndonjë “veting” për trukimet apo ndikimet (jo) të fshehta ndaj arbitrave.

Sfidanti.al