Apokalips dhe “eksod”, Italia tronditet me themel nga eleminimi!

Kishte 60 vjet që nuk ndodhte, të paktën në Botëror. Italisë iu përsërit drama e 1958-ës dhe nuk do të jetë në Botëror vitin e ardhshëm. Atëherë nuk shkoi në Suedi, ndërsa këtë radhë është Suedia që e la jashtë me barazimin që i mori në “San Siro”, në një eleminim që ishte parashikuar dhe që quhet “apokalips”.

Miliona tifozë në Apenine, por edhe miliona të tjerë në të gjithë botën nuk arrijnë ta besojnë lajmin, ndonëse Të Kaltrit kishin provuar dështime edhe në të kaluarën, anipse vetëm në Europianë, duke munguar në “apel” në 1984 apo 1992.

I kryqëzuari i parë dhe më i madhi nuk mund të ishte tjetër përveçse trajneri Xhan Piero Ventura, njeriu mbi të cilin do të mbetet damka e dështimit të parë në 60 vjet. Pas ndeshjes, ai tha thjesht “italianë, më falni”.

I pritur me dyshim që kur u emërua, ish-trajneri i Torinos, nuk ia doli të përballonte presionin e një detyre shumë të vështirë, ndoshta i dëmtuar edhe nga mungesa e fatit, me mjaft lojtarë të dëmtuar dhe jashtë forme. Gjithsesi, këmbëngulja e tij për disa skema fikse si 4-3-3 apo 4-2-4 krijuan probleme dhe fërkime, i fundit në “San Siro” ku De Rosi thuajse bëri kryengritje duke kërkuar hyrjen në fushë të Insinjes.

Ventura është i ikur, por të ikur janë edhe disa nga ikonat e Italisë. Xhanluixhi Bufon deklaroi largimin nga kombëtarja, në mes të lotëve, duke u shprehur se “koha është tirane”. Mbyllet edhe poka e Daniele De Rosit, ndërsa me dy mendje është Xhorxho Kielini.

Gjithsesi, sado që dështimi është i madh, në Itali po mendohet për të ardhmen. Katër emra të mëdhenj përfliten për stolin, Karlo Ançeloti, Masimiliano Alegri, Roberto Mançini, madje edhe Antonio Konte. Në fushë, ndërkaq, ka ardhur koha e të rinjve.

Sfidanti.al