Nuk ndryshon asgjë në Ligën e Spanjës, por sa të ndryshme ishin fitoret e pretendentëve kryesorë. Nëse Reali ia doli në fushën e Alavesit me shifrat e thella 4-1, Barcelona mezi fitoi në “Kamp Nou” ndaj skuadrës më të dobët, Granadës. Ronaldo shkëlqeu duke shënuar 3 gola, edhe pse dy me penallti, ndërsa në kryeqendrën e Katalonjës dita u shpëtua jo nga një i zakonshëm.
Rafinja me një gol special siguroi fitoren 1-0, me gjuajtjen e tij me roveshatë, pas topit të kthyer nga shtylla në goditjen e Nejmarit. Luis Suarez humbi raste, ndërsa Mesi gaboi dy herë me kontrollin e topit, diçka që i ndodh gjatë një sezoni të tërë. Nejmar këmbënguli më shumë, por ishte Rafinja heroi. Katalanasve u munguan Pike, Zhordi Alba dhe Iniesta, dhe ata do të mungojnë edhe në fushën e Mançester Sitit në Champions, të martën.
Barcelona ka 22 pikë pas 10 ndeshjeve, dy më pak se Reali që triumfoi më lehtë. Ronaldo shënoi 3 gola duke u treguar përsëri disa herë egoist, vendasit pretenduan për një penallti kur ndeshja ishte në 1-2, ndërsa një rrjetë shumë të bukur e shënoi Alvaro Morata.
B. Kuka