Ishte pasdite shqiptarësh kjo e kësaj së shtune në Bundesligë. Amir Abrashi, lojtar i Shqipërisë, dhe Admir Mehmedi, futbollist me origjinë shqiptare i Zvicrës, gjetën rrugën e rrjetës në fitoret e skuadrave të tyre. Abrashi pasi lumturoi tifozët kuqezinj me rikthimin e shpejtë nga dëmtimi, i kënaqi edhe më shumë me formën e tij. Shënoi golin e tretë në suksesin 3-1 në Bremen ndaj Verderit, i pari jashtë fushe këtë sezon për Frajburgun, që ndodhet në vendin e 8-të në kampionat, me 15 pikë pas 9 ndeshjeve.
Formë shumë e mirë edhe për shqiptaro-zviceranin e Leverkusenit që fitoi 2-1 në stadiumin e një rivali të vështirë si Volfsburgu. Arnold kishte kaluar vendasit në epërsi, por Mehmedi barazoi kur kishin mbetur 11minuta lojë dhe Jedvaj siguroi tri pikët.
Në krye të renditjes është gjithnjë Bajerni që gjeti golat e Levandovskit. Polaku shënoi dy herë për 0-1 e 0-3, ndërsa Arjen Roben realizoi të dytin në fushën e Augsburgut. Shifrat 3-1 bënë që skuadra e Karlo Ançelotit të mbetet e para me 23 pikë dhe me 23 gola të shënuar në 9 ndeshje.
Java 9: Augsburg-Bajern 1-3, Verder-Frajburg 1-3, Volfsburg-Leverkusen 1-2, Mainc-Ingolshtat 2-0, Darmshtat-Lajpcig 0-2.
Renditja: Bajern 23, Lajpcig 21, Herta 17 (-1), Hofenhajm 16 (-1), Dortmund 15 (-1), Këln 15 (-1) etj.
B. Kuka