Fitues ishin Mançester Siti dhe Arsenali, ndërsa humbësi kryesor Zhoze Murinjo. Nuk zgjati shumë periudha e lumtur pas eleminimit të Sitit nga Kupa e Ligës, pasi Mançester Junajtid u ndal në “Old Traford” nga Bërnli, me trajnerin e tij të përzënë në tribunë nga gjyqtari. E pra, mund të quhet edhe mungesë fati kur ndeshja përfundon 0-0 ndonëse ke gjuajtur 36 herë drejt portës dhe ke goditur dy herë shtyllat.
Mata e Ibrahimoviç ishin ata që tronditën shtyllat e portës së Bërnlit, ndërsa Murinjos iu tregua kartoni i kuq kur protestoi ndaj gjyqtarit për një ndërhyrje të kundërshtarit kundër mbrojtësit të tij, Darmian. Atë e ndoqi edhe mesfushori Ander Herrera që mori karton të kuq. Junajtid është tani në vendin e 8-të, 8 pikë larg kreut kur janë luajtur vetëm 10 ndeshje.
Siti dhe Arsenai nuk gabuan, edhe pse luajtën jashtë fushe dhe patën nga dy lojtarë që shënuan nga dy gola. Kun Aguero dhe Ilkai Gyngodan realizuan dy herë për Sitin që fitoi 4-0 në fushën e Uest Bromit, ndërsa më herët Aleksis Sançez e Olivie Zhiru kishin shënuar nga dy gola në fushën e Sandërlendit, duke e mundur 4-1.
Rezultatet: Sandërlend-Arsenal 1-4, Uest Brom-Mançester Siti 0-4, Mançester Junajtid-Bërnli 0-0, Midëllrbou-Bornemuth 2-0, Totenhem-Leiçester 1-1, Uatford-Hull Siti 1-0.
Renditja: Man. Siti e Arsenal 23, Liverpul 20 (-1), Totenhem 20, Çelsi 19 (-1) … Man. Junajtid 15.
B. Kuka