Benevento për “Gines”: s’hyri në zonë, por udhëhoqi në pjesën e parë!?

Edhe kjo ndodh në Itali! Në pjesën e parë të ndeshjes së fundit të serisë A, lojtarët e Beneventos nuk hynë asnjëherë me top brenda zonës së rreptësisë së Juventusit, por, megjithatë, arritën që të shënonin gol dhe të udhëhiqnin në pjesën e parë. Mbrojtja italiane është e njohur në të gjithë botën. Që ‘katenaço” popullore mund të funksionojë, të paktën, 45 minuta edhe kur luajnë ekipi më i fortë dhe ai më i dobët të Serisë A, këtë e tregoi më së miri ndeshja mes Juventusit dhe Beneventos. Kampioni aktual i Italisë, papritur, e pa veten në disavantazh 0-1 në pjesën e parë të ndeshjes nga një ekip që, deri tani, kishte njohur vetëm humbje në Serinë A. Golin e epërsisë të Beneventos e shënoi në portën e Juves nga një goditje e lirë, nga rreth 25 metra, Amato Ciçireti.

Sipas një llogaritjeje që ka bërë “Opta”, lojtarët e Beneventos, gjatë pjesës së parë, nuk hynë, as edhe një herë të vetme, me pasime në zonën e rreptësisë së Juventusit, por, megjithatë, shënuan dhe u mbrojtën mjaft mirë. Sidoqoftë, kjo taktikë nuk doli e suksesshme në pjesën e dytë, pasi Juvja e përmbysi rezultatin, duke fituar 2-1.

Sfidanti.al