Dikush duhet të ndalojë dhe të mendohet mirë. Flamurtari u dënuar sot ndaj Kukësit për të disatën herë këtë kampionat, ndërsa ka kaluar vetëm një e katërta e sezonit. Nuk mjaftuan penalltitë e padhëna ndaj Laçit apo ndaj Partizanit, nuk mjaftoi dënimi i fushës për të luajtur pa tifozë, por ja ku erdhi edhe anulimi i golit në minutën e fundit ndaj Kukësit, duke i hequr fitoren nga duart.
Trajneri Shpëtim Duro nuk ngurroi ta theksonte këtë fakt pas ndeshjes, duke thënë se “nuk na është dhënë asnjë penallti, po vuajmë gjatë gjithë kohës, ndërsa po të mos ishin këto vendime, do të ishim pranë Skënderbeut”. Trajneri nuk harroi të theksonte se “po të ishte shënuar në Kukës ky gol (nga Kukësi), nuk do të kishte asnjë shans që të anulohej”.
Flamurtari barazoi 1-1 me Kukësin, në stadiumin pa tifozë të Vlorës, duke pësuar më parë gol nga Bakaj, dhe pastaj duke barazuar me Tomisllav Bushiçin. Në fund, Zhufre shënoi nga goditja e dënimit, por goli u anulua, me pretendimin se një lojtar tjetër vlonjat ishte në pozicion të papërshtatshëm.
Fatkeqësia është se histori të tilla ndodhin thuajse në çdo kampionat, dhe mjafton që një president të mos ketë marrëdhënie të mira me Federatën, që të vijë ndëshkimi. Kur shikon sesi veprojnë gjyqtarët, vështirë edhe ta çosh nëpër mend, jo ta besosh, që ata janë të pavarur dhe varen vetëm nga rregullorja.
Sfidanti.al