Hezus Vajeho, veçantia 35-vjeçare e fitores së Realit në La Liga!

Për tifozët madrilenë, lajmi kryesor ishte fitorja 3-0 e skuadrës së tyre të zemrës ndaj Las Palmasit, duke mbajtur të paktën të pandryshuar diferencën nga Barcelona në ligën spanjolle. Gjithsesi, për statistikat, pati një lajm që tërhoqi po aq vëmendjen sa edhe golat e realizuar nga Kasemiro, Marko Asensio dhe Isko.

Veçantia ishte mbrojtësi Hezus Vajeho, i cili bëri debutimin në kampionat pikërisht ndaj Las Palmasit. Trajneri Zidan la jashtë ekipit Ashrafin (për arsye teknike) dhe zgjodhi Vajehon në krah të Sergio Ramosit, dhe ata që merren me arkivat zbuluan se tek Reali kishte 35 vjet që nuk debutante një spanjoll, që njëkohësisht të mos ishte lojtar i akademisë madrilene (kanterano). Që nga sezoni 1982-1983 kjo nuk kishte ndodhur, dhe i fundit debutues spanjoll, por jo kanterano kishte qenë Pako Bonet, i ardhur nga Elçe. Debutuesit e tjerë me nënshtetësi spanjolle, që nga ajo kohë, kishin qenë të gjithë “produkt” i akademisë.

Sfidanti.al