I ka të gjitha arsyet ndeshja mes Partizanit dhe Skënderbeut të ndizet fortë edhe në fushë, duke i vënë damkë se futbolli i luajtur është më spektakolar se futbolli i përfolur. Tërë këto ditë, dyshja rivale është përpjekur ta luajë ndeshjen edhe pa rënë bilbili. Akuza e Osmanit për Starovën, çmimi i kripur i biletave për tifozët korçarë, dueli imagjinar për zotësinë e Agostinelit dhe Starovës, nuk janë gjë tjetër, veçse një zjarr që kërkon të ndizet më tej.. duke i hedhur benzinë.
Për ta bërë edhe më të bukur duelin e Partizanit me Skënderbeun, dy klube të armiqësuar më shumë edhe për shkak të çështjes së titullit të fundit, kanë vendosur në ring dy trajnerët, ose dy profesorët e futbollit. Dy trajnerë, të cilët në një ditë të kuqe tek Partizani, kanë provokuar një dialog, që vlen më shumë për sot. Starova i ka thënë Andreas: “ Mister, ne lojën në mbrojtje e kemi mësuar nga Italia, por kjo nuk do të thotë që të mbyllemi prapa dhe..të mos dalim nga shtëpia”. Një frazë për të kuptuar se Sulejmani, një trajner filo italian, nuk është i vërtetë tek fjalët e Osmanit, si një dashnor i thekur i mbrojtjes.