“Kushtrimi i të parëve”, De Rosi besnik deri në fund!

Janë të paktë në botën e futbollit, por për fat ende ekzistojnë. Besnikët e fanelës dhe të qytetit të lindjes respektohen edhe në këtë futboll krejtësisht global. Daniele De Rosi nuk mund të hidhte poshtë gjithë jetën e tij deri tani, ndaj edhe hodhi poshtë diçka tjetër, ofertën e Juventusit. Mediat italiane shkruajnë se romanisti nuk ka ndërmend të braktisë “kushtrimin e të parëve” dhe të shkojë në një skuadër tjetër në Serinë A, madje as në Europë.

Ose do të rinovojë me Romën, kontratën që i përfundon verën e ardhshme, ose do të kalojë Atlantikun për të luajtur në futbollin amerikan. Mesfushori 33-vjeçar, një kapiten i vërtetë në krah të kapitenit numër 1, Françesko Toti, nuk është tunduar nga oferta e torinezëve, marrëveshje 1-vjeçare, me të drejtë rinovimi për një vit, me rrogë rreth 4 milionë euro në sezon.

Juventusi besohet se nuk do të arrijë të kryejë një tjetër “operacion  Higuain”, ndërsa Roma do të ketë krenarinë e një qytetari të dytë besnik, pas Totit që vazhdon të luajë në moshën 40-vjeçare.

B. Kuka