Më 22 tetor 1964, në Shibenik, u lind Drazhen Petroviç, një basketbollist që, vetëm 29 vjeç, arriti që “të hyjë” thellë në ndërgjegjen kolektive të dashamirësve të basketbollit, anekënd botës. Mbrapa shumë kolosëve mbetet trashëgimia e madhe e tyre, për shkak të së cilës, ata janë bërë të pavdekshëm. Kurse Drazheni la pas një dashuri joreale kundrejt sportit të basketbollit. Ai që ka jetuar në kohën, kur luante Drazheni dhe kishte fatin e nderin që të shihte sesi luante ai në fushë, nuk mundet që, sot, ta adhurojë me të njëjtin pasion këtë lojë të mrekullueshme.
Buzëqeshja e Drazhenit dhe lumturia që ai ndjente, kur bënte atë, për të cilën ishte lindur, ishin ngjitëse. Drazheni na “infektoi” neve me “virusin” e basketbollit, duke na bërë që ne, me të vërtetë, ta dashurojnë shumë këtë sport, sidomos, momentin magjik, kur topi përfundon brenda rrethit të koshit. Drazheni ka qenë një basketbollist i jashtëzakonshëm, ai ishte idhull, si për të rriturit, ashtu edhe për fëmijtë. Mund të ketë pasur basketbollistë edhe më të mirë sesa Drazhen Petroviçi, por djaloshi me flokë kaçurela nga Shibeniku është më i madhi!
“”Ndjeja një kënaqësi të madhe, kur luaja kundër Drazhenit, Ai ishte një lojtar i madh, luftarak dhe me plot besim në vetvete. Kur ndesheshim, ai më sulmonte fort, ashtu si edhe unë kundër tij. Ndryshe Drazhenin nuk e përballoje sot. Brenda një kohe të shkurtër, ai la një gjurmë të madhe. Ai hyri pa asnjë frikë në NBA, e përballoi me sukses sfidën e kësaj lige, duke u treguar edhe basketbollistëve evropianë të tjerë sesi duhet të luajnë, nëse duan që të arrijnë sukses në NBA”, ka thënë për të basketbolisti amerikan më i mirë në të gjithë historinë e këtij sporti, Majkëll Xhordan.
Nëse amerikanët e mbajnë mend se ku kanë qenë, kur u vra Xhon Lenoni, kroatët dhe të tjerët në hapësirat përreth nesh me siguri që e urrejnë atë 7 qershor 1993, kur Drazhen Petroviçi gjeti vdekjen në një aksident automobilistik.
Sfidanti.al