Teuta dhe Skënderbeu, çfarë iluzioni,  i gjalli dhe i vdekuri ndërruan rolet!

Goli me kokë i futbollistit të Teutës, Latif Amadu do të kujtohet si një kartolinë speciale, si një homazh për gjithë sulmuesit që kanë hyrë në histori me kokë dhe jo më këmbë. Ajo goditje mrekulluese mu mbi vijën e 16 metrave , pas një krosimi që nuk ishte shumë pretendues, ishte si një gjest nderimi  për sulmuesit që kanë bërë çudira në artin e lojës me kokë si Ilir Pernaska,  Din Zhega, Gim Murati, Mond Gëzdari dhe plot të tjerë.  Ishte një gol që krijoi iluzionin se Teuta e trajnerit Magani kishte 100 arsye ta ruante të shtrenjtë deri në fund të ndeshjes këtë perlë të rrallë, por ajo që ndodhi në pjesën e dytë ishte diçka krejt pa shije.  Teuta “ e bukur” në pjesën e parë dhe Skënderbeu i vdekur për 45 minuta, sikur ta kishin bërë me fjalë ndërrojnë rolet skajshëm.  Mbyll sytë Teuta, duke lënë në mëshirë të fatit edhe golin xhevair, ndërsa Skënderbeu gjallohet sikur të mos kishte lidhje me atë të pjesës së dytë.

Nuk ishte as e para dhe nuk do të jetë as e fundit ndeshja Teuta-Skënderbeu kur pësëritet një film i parë shpesh në kampionatin tonë, ku njëri ekip “shkëlqen”  në pjesën e parë dhe pastaj, çohet tjetri nga krevati i pasivitetit, si në një ndeshje keçi,   për t’i dhënë dërmën deri në fund kundërshtarit me lojë dhe me gola. Pse u dorëzua në atë mënyrë Teuta, çfarë ndodhi pas pushimit, kësaj pyetje nuk i dha përgjigje as trajneri Magani, prej të cilit jemi mësuar me përgjigje konkrete, ndryshe nga shumë trajnerë që lodrojnë me fjalë dribluese. As nuk ka dyshim se arbitri Klajdi Kola bëri një figurë me hije, kur  zbuloi padurimin e tij për të hyrë në “shinat e ferrit” kur dha penalltinë e parë, dhe kaloi kufirin e fantazisë kur shpiku penalltinë e dytë, prapë, Teuta do të gënjente veten mrekullisht nëse do ta qante humbjen si për faj të tij…

Sfidanti.al