Alarm në kampin e Gjermanisë, një gjarpër helmues u fut frikën lojtarëve

Kombëtarja e Gjermanisë është frikësuar shumë pas zbulimit të një gjarpri helmues në kampin stërvitor në Karolinën e Veriut, në prag të përgatitjeve për Botërorin 2026. Incidenti ka krijuar tension te skuadra e drejtuar nga Julian Nagelsmann, duke ndikuar edhe në seancat stërvitore. Kapiteni Joshua Kimmich konfirmoi se një gjarpër, i dyshuar si “copperhead” helmues, është parë pranë ambientit ku stërvitet skuadra. Ai theksoi se situata nuk është aspak për të qeshur, duke pasur parasysh rrezikun që paraqet. “Kur dëgjon se çfarë lloj gjarpri është dhe çfarë mund të ndodhë nëse të kafshon, nuk është më qesharake,” u shpreh Kimmich. “Nëse të kafshon, duhet të shkosh menjëherë në spital. Nuk mendoj se është fatale, por është e rrezikshme.”

Sipas tij, prania e gjarprit ka ndikuar edhe në përqendrimin e lojtarëve gjatë stërvitjeve, pasi shumë prej tyre shikojnë me kujdes tokën para çdo hapi. Gjermania nuk është e vetmja skuadër që po përballet me këtë situatë të pazakontë, pasi edhe kombëtare të tjera të vendosura në të njëjtën zonë janë paralajmëruar për praninë e kafshëve të rrezikshme. Edhe Norvegjia, që ndodhet po në Karolinën e Veriut, është vënë në alarm. Ndërkohë, situata të ngjashme janë raportuar edhe në kampe të tjera të Botërorit, ku disa skuadra kanë marrë masa parandaluese për t’u mbrojtur nga fauna lokale.

Përtej këtij incidenti, Kimmich po përpiqet të forcojë edhe unitetin e skuadrës, duke u fokusuar në aspektin psikologjik dhe grupor. Ai ka treguar se po lexon librin “Belonging”, që trajton rëndësinë e bashkëpunimit dhe ndjenjës së përkatësisë brenda ekipit. “Është një libër shumë interesant. Të shohim deri ku mund të na çojë,” tha kapiteni gjerman, i cili beson se grupi është i bashkuar dhe i përqendruar te objektivi i madh në Botëror. Pavarësisht incidentit të pazakontë, Gjermania vazhdon përgatitjet me synimin për të qenë një nga pretendentët kryesorë në turneun më të madh të futbollit botëror.