Harri Kejn shkatërron Liverpulin, por tremb tifozët e Totenhemit

Harri Kejn ishte edhe një herë “Mbreti i Uemblit” dhe kjo në ndeshjen më të mirë të Totenhemit në stadiumin mitik. Në pritje të rregullimit të shtëpisë së re, Spërsat vazhduan të luanin në impiantin kryesor të Anglisë, ku ata i ka ndjekur mallkimi për shumë vite.

Tani, jo më! Pas fitores me Dortmundin po në “Uembli”, dhe pas barazimit bujëmadh në “Santiago Bernabeu”, ishte momenti më i mirë për t’u ndeshur me një “peshë të rëndë” të kampionatit anglez si Liverpuli. Kejn shënoi dy gola dhe Totenhemi fitoi 4-1, veçse në minutat e fundit sulmuesi kryesor u zëvendësua me një dëmtim më muskujt e kofshës.

Tifozët londinezë padyshim u alarmuan dhe presin me padurim lajme nga infermieria për të parë gjendjen e vërtetë të idhullit të tyre të ri. Ndeshja, ndërkaq, ishte e fortë për të dyja skuadrat, me Liverpulin që mbajti topin mbi 60 për qind, por që nuk u tregua i rrezikshëm sa duhet. Totenhemi shfrytëzoi rastet falë lojtarëve shumë të mirë në sulm duke shënuar golat e tjerë me koreanojugorin Son dhe Dil Ejlin.

Kejn u ngjit në krye të renditjes së shënuesve të Premier Ligës me 8 rrjeta në 9 ndeshje, duke lënë pas Kun Agueron e Sitit dhe Romelu Lukakun e Junajtidit. Pavarësisht nga emrat e shquar në sulmin e Spërsave, numri 10 është i vetmi nga lojtarët e Totenhemit në 10 vendet e para të këtij klasifikimi, ku në të kundërt, ndodhen plot 4 lojtarë të Sitit (Aguero, Zhezus, Stërling, Sane).

Totenhemi ka tani 20 pikë, duke mbërritur Mançester Junajtidin dhe duke mbetur  (ende) prapa skuadrës së Murinjos me golaverazh, por besohet se pasi të kalojnë disa javë ky realitet do të ndryshojë. Në fund të fundit, vështirë të ndodhë ndryshe me një ekip që ka në fazën sulmuese Kejnin, Eriksenin, Ejlin apo koreanojugorin Son.

Sfidanti.al