Flamurtari kaloi një ndeshje shumë të vështirë në Superligën shqiptare duke mundur Kamzën në Vlorë me rezultatin 1-0. Skuadra vendase e pati shumë të vështirë dhe e arriti fitoren vetëm në fund, pas golit të shënuar nga Ditmar Bici. Në minutën e 82-të, mbrojtësi goditi saktë me kokë një top të ardhur nga goditja e këndit duke e dërguar në rrjetë. Me këtë sukses, skuadra e trajnerit Shpëtim Duro u ngjit sërish në vendin e tretë duke lënë pas Partizanin.
Në minutën e 67-të, ndeshja në Vlorë u ndërpre për shkak të një defekti në sistemin e ndriçimit, dhe u deshën 6 minuta që gjithçka të rregullohej dhe dritat të ndizeshin përsëri.
Flamurtari ka 12 pikë pas 7 ndeshjeve të luajtura, duke qenë 4 pikë prapa Skënderbeut e Kukësit. Për vlonjatët fitorja ishte shumë e rëndësishme pasi erdhi pas 3 barazimeve radhazi. Kamza, ndërkaq, mbeti në kuotën e 9 pikëve.
Sfidanti.al