Zidan: Jam i shqetësuar që lojtarët nuk po shënojnë dot!

Jo i shqetësuar për rezultatin, as edhe për lojën, por për nervat e lojtarëve të tij. Zinedin Zidan ishte optimist në mënyrë të matur pas barazimit me Totenhemin në Champions, duke ia pasur më shumë frikën trysnisë psikologjike mbi futbollistët. “Është stresuese për lojtarët kur nuk shënojnë, – tha ai, – më vjen keq pasi Benzema mund ta kishte bërë, por portieri i tyre ishte shumë i mirë, ashtu si edhe i yni. Provuam të shënonim, provoi Kristiano, Isko, por nuk qe e mundur. Të dy portierët bënë pritje të mëdha dhe mendoj se edhe Totenhemi e meritoi pikën, por po ashtu ne luajtëm shumë mirë”.

Zidan thotë se Reali po rritet çdo ditë dhe se gjendja po përmirësohet. “Kemi më shumë pikë në kampionat dhe jemi kryesues në Champions, – u shpreh ai, – pikët që humbëm sot, do të përpiqemi t’i fitojmë në ndeshjen tjetër”. Gjithsesi, mediat patën kritika për Benzemanë dhe për lojtarët e tjerë duke veçuar vetëm Kejlor Navasin dhe Toni Krosin. Problemi më i madh për madrilenët është tek ndeshjet në shtëpi, ku e kanë më të vështirë të arrijnë fitoret.

Sfidanti.al