Nuk pati barazim të tretë radhazi 2-2, diçka që nuk ka ndodhur në 80 vjet. Kjo sepse në fushë ishte Mauro Ikardi. Tepër i kritikuar, thuajse “i djegur në turrën e druve” nga “rrufetë” e Maradonës dhe antipatia (thuhet) e Mesit, e gjitha kjo e ka bërë më të fortë kapitenin e Interit. Bomberi zikaltër shënoi të tre golat në “Derbin e Madoninës”, në një “San Siro” me më shumë se 80 000 spektatorë, shumica interistë, që dolën të lumtur nga dyert e tempullit të futbollit.
Interi e meritoi sepse ishte gjatë gjithë kohës në avantazh, sepse kapiteni i tij shënoi 3 gola, dhe sepse trajneri i tij Spaleti kërkoi ta fitonte ndeshjen pas barazimit 2-2, duke hedhur në fushë sulmuesin e tretë, Ederin, në 85’. Pati edhe një mundësi për ovacion ndaj Ikardit, kur Spaleti e zëvendësoi më shumë për t’i dhënë sulmuesit mbylljen e merituar të një derbi që nuk do ta harrojë kurrë.
Milanit nuk i mjaftoi shpirti dhe zemra, që e la në fushë, nuk mjaftuan golat e Susos dhe Bonaventurës që barazuan rezultatin (ky i fundit më shumë u duk si autogol i Handanoviçit). Vinçenco Montela tani për tani është njeriu më fatkeq në botë, por nuk do të ishte e drejtë të hidhej i gjithë faji mbi të. As mbi gabimet e Bilias apo Borinit. Për momentin, Interi është më skuadër, ndërsa Milani është ende një kantier. Siç është shprehur legjenda Saki, “nuk ka parë kurrë një klub të madh që të bëjë 10 blerje në një verë të vetme”. Thjesht dhe shkurt, Montela dhe “projekti kinez kuqezi” do kohën e tij, ndërsa projekti tjetër kinez, ai zikaltër, po i jep frytet.
Interi është në vendin e dytë në Serinë A, pas 8 javëve të para, me 22 pikë, vetëm 2 më pak se Napoli kryesues, dhe 3 më shumë sesa Juventusi dhe Lacio që e ndjekin. Një ekip që ndoshta nuk shënon aq shumë sa Napoli, Juvja apo Lacio (17 gola), por që gjithsesi, është krejt ndryshe nga ai i vjetshmi. Milani, ndërkaq, sheh t’i përsëritet sezoni i kaluar, dhe është në vendin e 10-të me vetëm 12 pikë e vetëm 12 gola të shënuar. Është ende shpejt, por nuk dihet nëse do të mundë ta arrijë zonën Champions, madje edhe Liga e Europës duket e vështirë.
Sfidanti.al