Hasani: “Ne do të përpiqemi të luajmë futboll ofensiv”

Ferhan Hasani, pjesëtar i përfaqësueses së Maqedonisë dhe kapiten i Shkëndijës së Tetovës, paralajmëron një ndeshje mjaft të vështirë në Torino, këtë të premte, me Italinë, ndërsa vë në dukje se ata do të bëjnë gjithçka që të luajnë mirë, madje, do të luajnë një futboll ofensiv. Maqedonia nuk ka asnjë shans për të bërë ndonjë hap të madh lart në grupin kualifikues të saj G, kështu që, sikurse thuhet, ajo do të luajë për “nder dhe atdhe”.

“Neve na pret një ndeshje mjaft e vështirë, por ne nuk do të dorëzohemi. Italia ka një nga përfaqësueset më kualitative në botë, por ne, tanimë, e kemi treguar me vepra, në fushë, se jemi në gjendje të luajmë mirë edhe kundër më të fortëve. Italia ka bërë disa ndryshime në formacion, por, sidoqoftë, ajo ka një ekip të madh, pavarësisht, nëse luan ose jo Beloti ose dikush tjetër. Nuk mendoj se Italia ndodhet në ndonjë presion të madh për t’u kualifikuar direkt për në Kupën e Botës Rusi 2018. Sidoqoftë, ne do të bëjmë gjithçka dhe do të përpiqemi që të luajmë futboll ofensiv”, tha futbollisti shqiptar, Ferhan Hasani, një nga më të mirët në kombëtaren e Maqedonisë që, mbas Italisë, të hënen, do të luajë me Lihtenshtainin.

Sfidanti.al