Serbia, një kampione e jashtëzakonshme e Europës në volejboll për femra!

Kampionia më e merituar. Serbia fitoi titullin europian në volejboll për femra duke i fituar që të gjitha ndeshjet. Finalja ishte ndaj Holandës, mbyllur 3-1 për ballkanaset, që nuk patën rival në turneun e zhvilluar në Kaukaz, pikërisht në Azerbajxhan e Gjeorgji. Holandezet u thyen për të dytën herë, pas triumfit 3-0 në grup, dhe vetëm në setin e tretë ishin më lart sesa kundërshtaret. Rezultati i seteve ishte 25-20, 25-22, 18-25 e 25-18 në prani të 3 600 spektatorëve në Arenën e Bakusë në Azerbajxhan.

Me titullin e dytë në histori, skuadra serbe hyn përfundimisht në elitën e këtij sporti, baraz me Gjermaninë, Poloninë dhe Italinë, e lënë prapa vetëm nga Rusia. Ballkanaset patën sukses jo vetëm ekipor, por edhe individual.  Tijana Boshkoviç u shpall lojtarja më e mirë e kampionatit, Brankica Mihajloviç  u shpall goditësja më e mirë ashtu si holandezja Bojs, dhe Stefana Veljkoviç më e mira në bllok së bashku me turken Eda Erdem Dyndar.

Meritë të veçantë për trajnerin Zoran Terziç. Pesëdhjetenjëvjeçari nga Beogradi, drejton ekipin që prej vitit 2002, dhe ka qenë ai në krye në të dy tituj europianë, ashtu si dhe në medaljen e argjendit dhe të bronzit.

Fitorja serbe është shembulli më i mirë se një sistem i suksesshëm mund të ndërtohet edhe në vende të quajtura “të vogla” dhe “të varfra”, me standard jo shumë të lartë të jetesës, me sipërfaqe e popullsi jo aq të madhe, dhe me mundësi pra më të pakta sesa ato të shteteve të mëdha të Perëndimit apo të Rusisë.

Keqardhja e vetme për ne shqiptarët është sesa shumë kanë ndryshuar kohët, që nga vitet 70-të e 80-të, kur Dinamo apo kombëtarja jonë e volejbollit të femrave bënin emër në Europë e në Ballkan, dhe e thyenin sa herë dëshironin përfaqësuesen e ish-Jugosllavisë dhe klubet e saj në kupat kontinentale.

Sfidanti.al