Anglia nuk mban mend humbës më të mëdhenj se Kristal Pallasi

Nëse asgjë nuk ndryshon, majde, në mënyrë drastike, brenda një kohe të shkurtër, atëherë, qysh para Vitit të Ri do të merret se cili do të jetë një nga ekipet që do të bjerë nga Premier Liga. Kristal Pallasi, në ndeshjen e raundit të fundit të kampionatit anglez, humbi 0-4 nga Mançester Junajtidi, por kjo humbje, në fakt, nuk përbën ndonjë risi, pasi ky klub ka pësuar humbje të njëpasnjëshme, duke shënuar startin më të keq jo vetëm në historinë e tij, por edhe në atë të Premier Ligës, në përgjithësi, madje, edhe në Evropë! Në katër raundet e parë, Pallasi që drejtohej nga Frank de Buri, pësoi po aq humbje, ndërkohë që ekipi i tij nuk shënoi asnjë gol. Në vend të tij, erdhi Roj Hoxhsoni, por as ky nuk po bën asgjë. Vazhdon historia e rezultateve katastrofike, ndërsa Pallasi ende nuk ka shënuar asnjë gol dhe, sa i përket këtij fakti, ai është i vetmi ekip në të gjitha 20 ligat evropiane më të forta!

Pa shënuar asnjë gol dhe pa fituar asnjë pikë, Pallasi është ekipi më i palavdishëm në 20 ligat e lartpërmendura, pra, në konkurrimet, ku marrin pjesë 313 ekipe! Duke pasur parasysh edhe pjesën e fundit të sezonit të kaluar, Kristal Pallasi, në 11 ndeshje nga 12 të fundit, nuk ka shënuar asnjë gol. Kushedi se kur ky ekip që, tani, drejtohet nga Roi Hoxhsoni, do ta shënojë golin e parë, duke pasur parasysh se atë e presin ndeshje të vështira me Celsin, Njukasllin, Uest Hemin, Totenhemin, ndërkohë që kalendari është mjaft i ngjeshur, ekipi nuk është i plotë dhe niveli i lojës është i ulët. Kështu që po ndjehet, gjithnjë e më shumë, era e ligës së dytë angleze.

Sfidanti.al