Kampionëve u merren këmbët; Juventus, Bajern, Real, ç’iu ndodh?!

Vitin e kaluar ishin të paprekshëm. Juventusi, Bajerni, Reali apo Çelsi dominonin ligat e tyre kombëtare dhe tifozët ishin të lumtur. Këtë edicion ka ndodhur diçka, dhe ka ndodhur njëkohësisht. Juventusi u ndal nga Atalanta në Serinë A, duke lënë Napolin (bashkë me Elseid Hysajn) të vetëm në krye. Skuadra e Alegrit (“me VAR futbolli nuk është më sport, thotë trajneri), madje, u mbërrit edhe nga Interi në vendin e dytë, duke pasur 19, ndaj 21 të napolitanëve. Bonuçi i larguar, Bufon disi i plakur që gabon!

Në Bundesligë, Bajerni po e humb shkëlqimin dalë nga dalë. Pas katastrofës në Paris për Championsin, bavarezët pa Ançelotin (trajner i përkohshëm, Vili Sanjol) shpërdoruan dy gola epërsi në Berlin, duke lejuar Hertën të merrte barazimin 2-2. Dortmundi nis të shkëputet i vetëm në krye. Po kjo i ndodh edhe Çelsit, i mposhtur nga Mançester Siti, ndërsa dy ekipet e qytetit të Mançesterit duket se do të luftojnë për titullin.

Jo më pak problem Reali, edhe pse fitoi së fundmi. Shtatë pikë diferencë me Barcelonën mbeten, dhe shanset nuk janë shumë të mira për ta mbrojtur titullin. E tillë situata te kampionia e Francës, Monako. Barazimi të premten, e la 3 pikë prapa Paris SG që ndodhet në krye të Ligës 1.

Sfidanti.al