Pa fund zhgënjimi nga Partizani, 0-0 me Lushnjen dhe i fundit!

Partizani nuk di të fitojë në Superligë.  Nuk di as të shënojë gol, ndonëse dyshimet janë të forta se nuk dëshiron ta bëjë këtë. Barazimi ndaj Lushnjes në “Selman Stërmasi” shtoi dyshimet se harmonia nuk ekziston te kryeqytetasit dhe se pozitat e trajnerit Mark Iuliano janë shumë të lëkundura.

Pavarësisht nga shpenzimet e mëdha dhe lojtarët mjaft të mirë që ka në dispozicion, italiani nuk po mundet të krijojë një skuadër pretendente për titullin kampion. Me vetëm 2 pikë pas 4 javësh Superligë, dhe pa gol të shënuar, është shumë prapa Skënderbeut që kryeson me 10 pikë. Rrallëherë ndonjë pretendent ka zhgënjyer kaq shumë në historinë e kampionateve shqiptare.

Nuk është se Partizani luajti mirë dhe nuk pati fat. Përballë Lushnjës, që gjithashtu është në fund, nuk u arrit të krijohej asnjë rast i rrezikshëm, gjatë 95 minutave të luajtura. Edhe pse në fushë ishin emra të rëndësishëm dhe me rroga të larta si Hoxha, Progni, La Kamera, Batha, Adorjan, Herrera apo Sukaj, ata nuk mundën të tregoheshin superiorë ndaj futbollistëve lushnjarë, që marrin vetëm rroga të vogla të Bashkisë, dhe stërviten vetëm prapa portave të stadiumit të tyre.

Me këtë ritëm, të kuqtë jo vetëm që rrezikojnë të dalin përfundimisht jashtë garës për titullin kampion, por edhe mund të mos kualifikohen për në Europë sezonin e ardhshëm. Në këtë rast, humbjet financiare do të ishin tepër të mëdha.

Sfidanti.al