Një avion mund të pësojë defekt në ajër, një anije mund të përplaset në det, një tren mund të dalë nga shinat dhe një tribunë stadiumi mund të rrëzohet. Rreziqet janë për këtë jetë dhe kjo u pa qartë në aksidentin e stadiumit të Amienit në ndeshjen ndaj Lilës. Një gardh i rrethimit të brendshëm të fushës nuk përballoi peshën e qindra tifozëve miq, të entuziazmuar pas golit të avantazhit. Gardhi u rrëzua dhe tifozët u bënë “kapicë” mbi njëri-tjetrin. Për fat, deri tani nuk flitet për jetë të humbura, ndryshe nga masakrat në “Hejsel” të Brukselit dhe “Hillsborou” të Shefildit, ku vdiqën përkatësisht 39 e 96 njerëz. Gjithsesi, nga 29 të plagosurit, 4 janë në gjendje të rëndë në spital. Mjafton një pakujdesi në mirëmbajtje, apo nga ana e publikut që të ndodhë më e keqja.
Sfidanti.al