Teutës i ikën nga dora fitorja në Kamzë, një Superligë “misterioze”!

Ishin të bindur se do ta merrnin fitoren e parë të sezonit. Futbollistët e Kamzës dhe trajneri i tyre, Ramadan Ndreu, besonin se stadiumi i tyre do t’i ndihmonte ndaj Teutës, por në fund u detyruan të kënaqeshin shumë edhe me barazimin.

Durrsakët, edhe pse ishin nën presion në pjesën më të madhe të kohës, u ndodhën pranë fitores deri në minutën e parafundit. Miqtë përballuan sulmet e shumta të kamzalinjve dhe u mbrojtën mirë, siç i kishte mësuar trajneri i tyre, Gugash Magani. Pas pushimit menduan se mund të bënin diçka më shumë dhe ia dolën të kalonin në avantazh, me një autogol të Frashërit.

Vazhdimi ishte vetëm sulm i Kamzës që u duk se nuk do të sillte rezultat, por pikërisht në fund u fitua një penallti, dhe sulmuesi serb, Stevan Raçiç, barazoi rezultatin. Sfida e javës së katërt vërtetoi përsëri se skuadrat janë shumë pranë njëra-tjetrës këtë sezon, dhe se faktori fushë nuk ka rëndësinë e viteve të kaluara.

Teuta që fitoi në Shkodër me Vllazninë, u mund në Durrës më pas nga Flamurtari, që la pikë në Vlorë me Luftëtarin. Pas këtij rezultati, durrsakët kanë 7 pikë, ndërsa Kamza ka arritur 3 barazime dhe një humbje.

Sfidanti.al