Legjenda Brajan Robson, në krah të Murinjos: Përse vetëm atë!

Një legjendë e Mançester Junajtidit është e pritshme t’i dalë në krah trajnerit të skuadrës së tij të zemrës. Kështu bën edhe Brajan Robson me Zhoze Murinjon, pasi portugezi u përjashtua me karton të kuq nga gjyqtari në ndeshjen në fushën e Sauthemptonit. Arsyeja e përjashtimit ishte se Murinjo e kaloi zonën e caktuar për të qendruar trajnerët, si dhe iu afrua shumë gjyqtarit të katërt duke i bërë presion.

“Kur Konte kërcen në vijën anësore sikur e ka zënë korenti, apo kur Jurgen Klop tmerron gjyqtarin e katërt me fytyrën e tij prej të çmenduri, ne i lavdërojmë duke i quajtur trajnerë me pasion, – u zbraz ish-numri 7, – ata mund të sillen si të çmendur dhe të mos ndëshkohen, por kur këtë e bën Murinjo, atëherë nuk flasim për pasion, por për sjellje makiavelike. E vërteta është se Zhoze nuk është djall, por ai kërkon që skuadra e tij të fitojë”.

Në të vërtetë, nuk do të ketë masë shtesë për trajnerin e “djajve të kuq” përveç përjashtimit që i ndodhi, por Robson nuk është i kënaqur. “Luis Van Gal ishte kaq i heshtur saqë ishte e kundërta e Sër Aleks Fergusonit, ndërsa Murinjo po e kthen atë kohë, – vazhdoi ish-kapiteni, – skuadra është e fortë, dhe mund të konkurrojë me Sitin dhe Çelsin, me lojtarë të tjerë si Matiç apo Lukaku”.

Murinjo, gjithsesi, e ka të shpeshtë përjashtimin. i ka ndodhur 9 herë në karrieër dhe ka humbur 16 ndeshje i pezulluar, ndërsa mbahen mend akuzat për gjyqtarët, veprimi me duart në formën e prangave kur ishte tek Interi, apo gishti në sy të të ndjerit Tito Vilanova të Barcelonës.

Sfidanti.al